Me lule ne duar perballe dhimbjes, qindra persona i japin lamtumiren e fundit nenes dhe 2 femijeve

Me lule në duar, shokët e klasës, të afërm e kushërinj të tyre, kryesuan kortezhin për të përcjellë në banesën e fundit, Fatjonin, Rudinën, dhe nënën e tyre, Rajmondën.

Nga banesa deri tek varrezat, një rrugë e gjatë, të afërm, miq, e njerëz nga fshatrat përreth të tronditur nga kjo tragjedi, ecën në këmbë, duke i mbajtur në krah arkivolët.

Një traditë kjo e zonës, ku arkivolët nuk i transportojnë me makinë.

Familjarët, të afërmit dhe banorët e fshatit Ostren, në Bulqizë, po i japin lamtumirën e fundit nënës me dy fëmijët e saj, vajzën dhe djalin, të cilët humbën tragjikisht jetën një ditë më parë.

Momentet nga ceremonia mortore, ku banorë të shumë janë mbledhur për të përcjellë në banesën e fundit nënën me dy fëmijët.

Ngjarja ka tronditur familjarë e të afërm, por edhe mbarë opinionin publik, ndërsa nuk dihet ende shkaku i vërtetë i vdekjes së trefishtë.

Ata janë gjetur të pajetë paraditen e djeshme, në banesën e tyre, ndërsa ka mundur të mbijetojë vetëm vajza e vogël e familjes, 16 vjeçe, e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Familjarët mund të jenë helmuar nga rrjedhja e gazit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e helmimit nga ushqimi, pasi në banesë është gjetur një pjatë me supë, e cila është dërguar për ekspertizë.