Mediat e huaja shkruajnë për Shqipërinë, 3000 flamingo shtohen gjatë karantinës

Përgjatë ditëve të izolimit nga Koronavirusi, e gjithë Shqipëria është paraqitur më e kthjellët, më e pastër.

Me turistët në shtëpi dhe me botën e rënë në heshtje, flamingot rozë të Shqipërisë dhe pelikanët kaçurrelë kanë mbushur lagunat.

Për këtë kanë shkruar dhe mediat e huaja.

Një tufë e madhe me flamingo ka pushtuar lagunën e Nartës duke shijuar gjithë qetësinë e këtyre ditëve.

Autoritetet e parkut kanë bërë me dije se numri i flamingove në vend është rritur me gati një të tretën, rreth 3.000 që nga Janari, njofton “bangkokpost.com”.

“Me njerëzit e izoluar, jeta e egër ka rigjetur të gjitha të drejtat absolute dhe po shijon të gjitha liritë e natyrës”, është shprehur Nexhip Hysolakaj, shefi i zonës së mbrojtur.

Nga izolimi janë zhdukur varkat peshkuese dhe dhjetëra anije që normalisht largohen çdo ditë nga parku i Vlorës.

Po ashtu është reduktuar trafiku i makinave, duke shtuar qetësinë dhe duke mbrojtur kafshët tokësore.

Autori i udhëzuesit të parë të zogjve në Shqipëri, Mirjan Topi, është shprehur se kushtet tani janë të përsosura që flamingot të fillojnë të riprodhohen në shtetin e Ballkanit.

Zyrtarët në lagunën më të madhe të Shqipërisë në Parkun Kombëtar të Divjakës shpresojnë se kjo qetësi të ndikojë dhe në rritjen e popullsisë së pelikanëve dalmat.

Sot heshtja mbizotëron dhe pelikanët, flamingot, shqiponjat janë duke shijuar paqen, duke u mbledhur në shtigje të shkreta që normalisht mblidhen me turistë.

Drejtori i parkut, Ardian Koçi shpreson që kriza e shkaktuar nga Koronavirusi të jetë një mundësi për mbrojtjen e biodiversitetit në Shqipëri.