Merkeli bisedoi me Kurtin për gjendjen me koronavirus dhe për çështje ekonomike

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përmes video-konferencës.

Siç njofton Saarbruecker-zeitung.de, kjo bisedë është zhvilluar si zëvendësim i vizitës së planifikuar të Kurtit në Berlin, e cila nuk ka mundur të realizohet për shkak të gjendjes së krijuar me koronavirusin.

Mediumi gjerman shkruan se “tani, ajo po qeveris përmes telefonit dhe videokonferencave”.

“Këtë mjet ndihmës e ka përdorur pasditen e së hënës edhe për një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin ka diskutuar rreth gjendjes së krijuar me koronavirusin në shtetin e tij, por edhe për çështjet ekonomike dhe të politikës së jashtme”, shkruan Saarbruecker-zeitung.de, raporton KOHA.

“Kështu u zëvendësua vizita e planifikuar shtetërore e Kurtit”, thekson ky medium.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me të marrë mandatin Kurtin, e kishte uruar atë dhe e kishte ftuar për vizitë në Berlin.

Ajo kishte thënë se do ta presë me gëzim Kurtin.

Merkel tutje kishte renditur disa nga problemet me të cilat qeveria e Kosovës duhet të përballet.

“Ju dhe qeveria juaj keni detyra të rëndësishme dhe të vështira para jush.

Këtu përfshihet sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe, në veçanti, dialogu për normalizim me Serbinë.

Këta janë hapat kryesorë në forcimin e perspektivës evropiane të vendit tuaj”, kishte thënë Merkeli në letrën e urimit dërguar Kurtit

Në fund kishte thënë se Qeveria Federale gjermane do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë rrugë.

Merkel sot u testua për koronavirus, ndërsa në orët e pasdites erdhi njoftimi se ajo ka dalë negative në këtë test.