Ministria e Shëndetësisë ka filluar takimet konsultative në lidhje me masat antiCOVID.
Një takim i tillë është mbajtur të mërkurën, ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar për Telegrafin se masat janë duke u shqyrtuar.
“Po, ka pasur takime.
Sot nuk pritet të merret ndonjë vendim në lidhje me masat antiCOVID-19 dhe është herët të flitet për këtë”, thanë për për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.
Komiteti antiCOVID-19 gjatë ditës së djeshme kishte pasur një takim për shqyrtimin e masave.
Ndryshe, fillimi i muajit janar ka shënuar edhe rritjen e rasteve me coronavirus në vendin tonë.
Më datën 1 janar, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se janë konfirmuar 47 raste të reja me coronavirus.
Më datën 2 janar u konfirmuan 29 raste, kurse më 3 janar u konfirmuan 38 raste, transmeton Telegrafi.
Rritje të rasteve me coronavirus pati më datën 4 janar, ku gjithsej u konfirmuan 108 raste, dhe me datën 5 janar u konfirmuan 107 raste.
Komuna me më së shumti raste aktive me COVID-19, vazhdon të jetë Prishtina, gjithsej raste aktive 226. /Telegrafi/