Ministria e Shëndetësisë tregon nëse do të ketë masa shtesë nesër për Bajram

Ministria e Shëndetësisë nuk ka paraparë masa tjera përveç atyre që janë në fuqi, derisa ditëve të fundit janë aluduar ide si për orë policore gjatë festës së Fitër Bajramit.

Ministria e Shëndetësisë thotë se bashkë me Bashkësinë Islame, ka bërë thirrje tek qytetarët që të jenë të vëmendshëm edhe në ditën e Fitër Bajramit.

MSH-ja thotë se kanë udhëzuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin situatat që ekspozojnë ata drejt një rreziku siç është koronavirusi.

“Festa e Bajramit të Madh është ditë festive dhe aludimi në masa të tjera përveç atyre që janë në fuqi dhe që vlejnë për të gjithë nuk është i drejtë”, thotë MSH-ja.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës gjatë gjithë Muajit të shenjtë të Ramazanit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme duke bashkëpunuar me qëllim që ky muaj të kalojë në shenjë të përkushtimit për ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit dhe në zbatim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike lidhur me pandeminë Covid-19”, thotë MSH-ja për Kohën.

Kësisoj, theksohet tutje në përgjigje, besimtarët e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre gjatë gjithë muajit për t’i zbatuar me korrektësinë më të lartë këto rekomandime.

“MSH beson se një mënyrë e këtillë e manifestimit të besimit do të tregohet edhe gjatë festës së Bajramit të Madh, për të cilën besimtarët janë udhëzuar, gjithashtu, edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës që të manifestojnë respekt dhe kujdes duke shmangur situata që ekspozojnë qytetarin para një rreziku siç është Covid-19.

Me shpresën se festimet e tjera do të shënohen sipas traditës dhe në kushte më të mira, MSH i uron të gjithë qytetarët e besimit islam për festën e Bajramit të Madh! “, thuhet në fund të përgjigjes.

Gjatë ditës, kryetari i Bashkësisë Islame Naim Tërnava, gjithashtu bëri thirrje që të shtohet kujdesi ditën e Bajramit, dhe se falja e Bajramit nuk do të bëhet në xhami e gjithashtu apeloi të shmangen vizitat familjare.

“Nesër kemi festë, festë e cila vjen pas përfundimit të muajit të agjërimit-Ramazanit, shkaku i pandemisë nuk do të kemi mundësi që të falim namazin e Bajramit, andaj ju ftoj të gjithëve që të ruani karakterin festiv të Bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj.

Ju porosis që të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie”, tha Tërnava.