Ministria e Tregtisë: Nuk do të ketë nevojë për mbylljen e pompave të derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thotë se nuk do të ketë nevojë për mbylljen e pompave të derivateve, ashtu siç është paralajmëruar nga naftëtarët.

Kjo pasi, siç kanë thënë në ministri, në ligjin e ri të naftës do të përfshihen edhe nevojat për operimin e bizneseve.

Po ashtu, nga MINT-i kanë bërë të ditur se janë në përmbyllje të konsultimeve dhe se së shpejti do të miratohet akti nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.

“Jemi në përmbyllje të konsultimeve.

Do të miratohet akti për mënyrën e rregullimin e çmimeve të naftës.

Paralelisht vendosim për rregullimin e çmimeve”, kanë thënë nga ky dikaster për Telegrafin.

“Nuk do të ketë nevojë të mbyllen pompat e derivateve, sepse do të marrim parasysh nevojat për operimin e bizneseve.

Gjithsesi naftëtarët duhet të veprojnë sipas ligjit”.

Sipas raportimeve në media, ligji i ri parasheh kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Me këtë nuk është pajtuar Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, e cila pas një mbledhje të mbajtur të enjten, i ka dërguar letër Qeverisë me anë të së cilës paraqitur dy kërkesa.

Ata kanë kërkuar që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si 22 vitet paraprake dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Por, nëse kjo nuk merret parasysh, kanë thënë se marzha duhet të caktohet: shitja me shumicë 3 për qind, ndërsa me pakicë 12 për qind.

Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin. /Telegrafi/