Ministrja Haxhiu do të rishikojë procesin e emërimit të noterëve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilët kanë qenë zë i fuqishëm në kundërshtimin e emërimit të noterëve të përzgjedhur në procedurë të dyshimtë, duke kërkuar një rishikim të plotë të këtij procesi.

Gjatë këtij takimi, Haxhiu ka përgëzuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për insistimin dhe konsistencën e tyre në pengimin e “këtij procesi të komprometuar dhe të dyshimit”, i cili duhet të kthehet në pikën zero.

Sipas saj, ka qenë pikërisht reagimi i shoqërisë civile ai i cili ka bërë që kundër këtij procesi të dalin edhe një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e këtyre organizatave falënderuan ministren Haxhiu për angazhimin e saj në trajtimin e çështjes së noterëve dhe njëherësh kërkuan që urgjentisht të fillojë rishikimin e gjithë këtij procesi.

Ministrja, pasi ka dëgjuar shqetësimet dhe rekomandimet e secilit nga këta përfaqësues lidhur me procesin e noterisë, u premtoi se shumë shpejt do të fillojë rishikimi i gjithë procesit dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për ta kthyer këtë proces në pikën zero.