Molliqaj: Kurti po bëhet bishti i heshtur i Thaçit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve për hekurudha dhe autostrada mes Kosovës dhe Serbisë në praninë e të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së, Richard Grenell.

Molliqaj deklaroi se sot ishte nënshkruar një marrëveshje pa e arritur marrëveshjen përfundimtare që do të sillte njohje reciproke dhe pranim të subjektivitetit politik të shtetit të Kosovës nga Serbia.

“Por, po aq e rëndësishme dhe ogurkeqe është heshtja absolute e kryeministrit Kurti.

Heshtje kjo, me të cilën ai në fakt po flet shumë dhe po tregon që është bërë pjesë e projektit të vjetër të dialogut.

Heshtje kjo, përmes së cilës po i heqë vetes çdo përmbajtje politike që e kishte artikuluar deri tash dhe përmes së cilës erdhi në pushtet”.

“Sot Albin Kurti, duke iu bashkuar përmbajtësisht projektit të Hashim Thaçit, po bëhet bishti i heshtur i Hashim Thaçit.

Sot ai po tregon që pavarësisht nëse bashkërendimin me Thaçin nuk e ka të formalizuar, ai po ecë hapave të tij, pas tij, sepse ka zgjedhur projektin e ti”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë: