MSh njofton se shtetasit e huaj mund të vaksinohen kundër COVID-19 edhe në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19, për vaksinimin edhe të qytetarëve jo-kosovarë me vaksinën kundër COVID-19 në Kosovë.

“Vaksinimi edhe i qytetarëve jo-kosovarë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në ketë periudhë të fund-vitit kur ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë dhe kur institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë, të moshës mbi 12 vjeç, pa marrë parasysh se a janë shtetas të Republikës së Kosovës apo jo”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kompletojnë procesin e vaksinimit kundër COVID-19, duke i marrë të dy dozat, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar ende, ftohen që ta bëjnë këtë sa më parë, në cilëndo qendër vaksinimi në Kosovë apo tek cilido ekip mobil i vendosur në terren, pa caktuar termin paraprakisht dhe pa marrë parasysh se në cilën komunë jetojnë. /Telegrafi/