Muhaxheri ia kishte bërë të qartë Kurtit, rrëzohesh nëse merr vendime pa e konsultuar LDK’në

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, gjatë javës së kaluar e shkarkoi nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliun.

Por, kryetari i Pejës, njëherësh nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri muaj më parë kishte thënë se kryeministri i ardhshëm nuk mund të merr asnjë vendim pa u konsultuar paraprakisht me partnerin e koalicionit, sepse partia e tij do ta shkarkojë, dhe do e prishin qeverinë.

Muhaxheri në nëntor të vitit të kaluar, në një intervistë kishte thënë se kryeministri i ardhshëm nuk mund të merr asnjë vendim pa u konsultuar paraprakisht me partnerin e koalicionit.

“Nuk mundet me marrë vendime të njëanshme, çfardo kryeministri me qenë, pa u konsultu me Lidhjen Demokratike”, tha ai.

Më tutje shtoi se ai është idhtar i asaj që në momentin e parë që e merr një vendim, pa neve, kemi me shkarku dhe me prishë qeverinë.

“Duhet me ja ba të dijshme qysh në fillim, pa e shkru kontratën me ta”. u shpreh nënkryetari i LDK-së.

Muhaxheri tha së shpresë këtij vendi i jep, duke bashkëpunuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe LDK me Vetëvendosjen, e mos me kriju situata, në të cilat i merr vendimet e njëanshme dhe na bjen para aktit të kryer.

E ndërkohë, kryeministri Kurti e shkakori Veliun pas deklaratave që ky i fundit i dha gjatë një emisioni televisiv.

“Situata në Kosovë është serioze, numri i të prekurve po rritet nga ora në orë dhe sigurisht institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet në mënyrë që të parandalojë këtë pandemi.

Unë besoj personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat qofshin ato ekstreme, që të mbrohemi nga ky rrezik që ka përfshirë globin por edhe Kosovën”, kishte thënë Veliu.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka quajtur të papranueshëm vendimin e tij, duke thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur edhe mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, ku ka siguruar më shumë se 40 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, por Mustafa i ka dhënë kohë Kurtit që deri në fund të javës të anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut, si dhe ta largojë taksën 100 për qind.