Murati kërkon miratimin e projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar miratimin e projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Ministri tha se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, krijon qartësi juridike dhe parasheh eliminimin e çfarëdo dykuptimësie për rritjen e pagës minimale.

Ai tha se përmes këtij projektligji do të lirohen nga tatimi niveli i pagës minimale nën 250 euro.

“Projektligji ka qëllim fillimisht të krijojë qartësi juridike sa i përket shumës së beneficioneve, apo kompensimeve të cilat ndërlidhen me pagën minimale.

Parasheh eliminimin e çfarëdo ambiguiteti apo dy kuptimësitë në mënyrë që të kemi siguri juridike që të lëvizin me pagën minimale.

Së dyti projektligji parasheh edhe lirimin nga tatimi për pjesën e pagës minimale deri në nivelin e 250 euro parashihet që të rritet pragu tatimor me zero përqind, pra që nuk tatohet.

Së treti ky projektligj e ndryshon edhe procedurën se vihet te paga minimale në mënyrë kur kemi ngërçe në Këshillin Ekonomik-Social, siç e kemi tash, kur anëtarët nuk mund të dakordohen dhe arrijnë konsensus.

Plotësim-ndryshimi i ligjit parasheh se kjo mund të bëhet edhe me propozimin e ministrit të Financave në mënyrë që rritja e pagës minimale të bllokohet nga ndonjë partner social… Ky është momenti i duhur, marrë parasysh edhe gjendjen e vështirësuar ekonomike të qytetarëve edhe çmimet e rritura është e udhës që të votohet dhe ecet para me këtë projektligj që të hapet rruga për rritjen e pagës minimale”, tha ai.

Edhe Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) bëri thirrje që të votohet projektligji i cili përcakton shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Muja tha se rritja e pagës minimale do të mundësoj zvogëlimin e varfërisë në Kosovë.

Sipas tij, paga minimale nuk është ndryshuar që nga viti 2011.

“LVV e mbështet dhe i rekomandon Kuvendit ta mbështes këtë Projektligj sepse synon eliminimin e mëdyshjeve ligjore.

Propozimi për pagën minimale mbështetët në organizatën minimale të punës.

Paga minimale nuk është ndryshuar që nga viti 2011 dhe kjo edhe pse vendet e tjera në rajon i kanë ndryshuar vit pas viti”, ka thënë Muja.

Tutje ai shtoi se grupet shoqërore që përfitojnë më së shumti gjenden në sektorin e tregtisë dhe ekonomisë.

“Shumica e tyre janë 16 deri në 34 vjet.

Shumicën e vendeve evropiane paga minimale është gjysma e pagës mediate dhe kjo rritje do të mundësoj zvogëlimin e varfërisë”, tha Muja. /Telegrafi/