Mustafa: Duhet të marrë fund që dikush i LDK’së të jetë kundër veprimeve të LDK’së

Lidhja Demokratike e Kosovës u është përgjigjur akuzave se po bashkëpunon me presidentin Hashim Thaçi për të rrëzuar qeverinë në të cilën është vetë pjesë.

Nëpërmjet një komunikate për media, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa thotë se në seancën e nesërme e thirrur për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë njerëzit e LDK’së, duhet ta respektojnë këtë subjekt.

“Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj.

Nuk është e natyrshne që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së.

Kjo sjellje duhet të merr fund”, thotë Mustafa.

Ka qenë Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila sot në Kryesi të Kuvendit ka votuar kundër mbajtjes së mocionit.

Deklarata e plotë e Mustafës

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, deputetë dhe kryetarë të degëve,

LDK ka proceduar me mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse.

Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në.

LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa.

Por e kanë një zgjidhje.

E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën.

LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizihet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhëtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashk.

Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj.

Nuk është e natyrshne që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së.

Kjo sjellje duhet të merr fund.