Mustafa kritikon Qeverinë Kurti: Harruat që ju kanë votuar qytetarët e jo nipat, falni gjobat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka akuzuar ministrat e Lëvizjes Vetëvendosjes për punësime familjare.

Mustafa tha se kjo qeveri ka harruar se i kanë votuar qytetarët, e jo nipat e tyre.

“Nipi, daja, nipi, daja.

Harruat që ju kanë votuar qytetarët dhe jo nipat.

Ata ju votuan, dasmat po i mbani me nipat, vendet e punës po ua ndani nipave, e qytetarëve po ua ndani… s’po e përfundoj këtë fjali”, ka thënë ai.

Mustafa po ashtu iu drejtuar ministrit Murati se nëse nuk ka hapësirë buxhetore le ta sjellë në Kuvend Ligjin e Buxhetit, që t’i ndihmohet qytetarëve që të lirohen nga gjobat.

“Nëse s’ke hapësirë buxhetore, sille në Kuvend Ligjin për Rishikim e Buxhetit dhe të ndihmojmë që t’i lirosh qytetarët nga këto gjoba”.

Ai po ashtu tha se si është e mundur që kjo qeveri paguan 11 milionë euro për rrymën e papaguar në katër komunat në veri të vendit, dhe heziton siç tha ai të falë gjobat e pandemisë.

“Si është e mundur që kjo qeveri pa menduar dy herë paguan 11 milionë euro për rrymën e papaguar në katër komunat në veri kurse pa menduar dy herë heziton të falë gjobat e pandemisë për 34 komunat e tjera të Kosovës.

Ministri sigurisht deklaron që faturat në veri janë falur nga Kuvendi dhe jo nga qeveria, shpresoj që në këtë seancë Ministri të mos bëjë këso shaka të lezetshme”, tha ndër të tjera, Mustafa. /Telegrafi/