Mustafa: S’kam bashkëpunuar me Thaçin, kam pasë vetëm një bisedë në telefon dje

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka njoftuar se LDK-ja do të iniciojë mocion mosbesimi për qeverinë Kurti.

Ai tha se këtë e kanë diskutuar në Kryesi dhe se kanë vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, sepse nuk dëshirojnë të jenë pjesë e një qeverisje të tillë, njofton Klan Kosova.

Mirëpo, Mustafa mohoi se ka bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi për propozimin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

“Sa i përket Thaçit s’kemi pasë asnjë marrëveshje me të.

Thaçi më është lajmëruar dje pas postimit në Facebook lidhur me nevojën e bashkëpunimit të institucioneve me bindjen e tij se e kam kritikuar se s’po merr masa.

Unë i thashë se është një opinion i imi, i një kryetarit të partisë se kemi përgjegjësi politike dhe unë them se ju të bashkëpunoni njëri me tjetrin”.

“Ne s’kemi kërkuar në mënyrë eksplicite që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme si subjekt politik, përveç mendimit tim që e kam dhënë se është një opsion që të përmbyllet kjo situatë”.

“Ne nuk jemi as me Thaçin, as me Kurtin.

Ne jemi me Kosovën.

Edhe Thaçi edhe Kurti duhet të bashkëpunojnë.

Politika është më pak e rëndësishme sa është jeta e një njeriu apo vendet e punë që mund të mbyllen nesër pas betejës së koronavirusit”.

Mustafa tha se është pikërisht taksa arsyeja kryesore e mospajtimit të dy partnerëve dhe se nuk mund të jenë në Qeveri me një parti që del kundër SHBA-së.

“Mospajtimi ynë themelor qëndron në përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në sepse nuk shohim perspektivë pa përkrahjen e SHBA-së.

S’kemi biseduar me asnjë parti politike sepse vetëm sapo kishim mbledhjen e Kryesisë dhe vendosëm për këtë”.

“Ne besojmë që situata është ajo që kërkon më shumë koncetrim më shumë.

Të gjitha vendet përreth kanë marrë masa, disa edhe me shpalljen e gjendje s së jashtëzakonshme sepse po bëjnë përpjekje që ta kufizojnë mundësinë e përhapjes së koronavirusit”.

“Do të qëndrojmë në qeveri derisa ta fitojmë betejën me koronavirusin.

Përpos kësaj sëmundje ne kemi probleme të mëdha.

Bizneset mund të falimentojnë dhe të mbesin njerëz pa punë.

Ajo çka i nevojitet Kosovës është bashkëpunim dhe sinergji dhe që për një afat sa më të shkurtë ta fitojmë betejën kundër kësaj epidemie që është mjaft e rëndë dhe mund të shpërndahet nëse nuk bashkëpunojmë të gjithë”.