Nacionalizmi: Dy anët e medaljes

Periudha e kalimit nga mesjeta në modernitet, njëherësh shënon edhe fillimin e ndërrimit të rendit botëror, gjegjësisht kalimin nga perandoritë kozmopolite tek shtetet kombëtare.

Shkruan: Behar Hyseni

Në periudhën moderne mund të vërejmë se si merr formë nacionalizmi si ideologji.

Lindjen e nacionalizmit dhe shteteve kombëtare e karakterizojnë një numër i madh i faktorëve politik, kulturorë e ekonomik duke filluar prej Iluminizmit e deri tek Revolucioni Industrial, të cilat ndikuan në krijimin e  kushteve të përshtashme për lindjen e kësaj ideologjie e forme të qeverisjes.

Këto lëvizje moderne kulmojnë me shpërthimin e Revolucionit Francez të fund shekullit XVIII, ngjarje e cila katapultoi idetë iluministe në pjesën tjetër të Evropës, duke i nxitur edhe popujt e tjerë të intensifikojnë lëvizjet nacional çlirimtare.

Nacionalizmi, është një parim politik sipas të cilit ngjashmëria kulturore është pika themelore e funksionimit të shoqërisë.

Pra, sipas nacionalizmit si ideologji, të gjithë pjesëtarët e një kulture të veçantë duhet të bashkohen e të krijojnë një njësi të veçantë administrative.

Ernest Gellner në vepren e tij ‘Nacionalizmi’, krijimin e shteteve kombëtare e përshkruan si ‘Martesa e shtetit me kulturën’.

Sipas pikëpamjeve nacionaliste, është komplet e natyrshme që njerëzit të duan të jetojnë brenda ‘llojit’ të vet, pra të mos përzihen me kultura të tjera për shkak të rrezikut të asimilimit.

E pikërisht për ruajtjen e traditave e zakoneve të vjetra, është e domosdoshme që popujt të pajisen me shtetin protektorë, pra shtetin kombëtar.

Filozofi gjerman Herderi, theksonte se njerëzimi përbëhej nga kombe e kultura të shumta, e vlera e tyre qëndron pikërisht tek specifikat e veçanta të tyre.

Sipas tij, vlera e qenieve njerëzore nuk qëndron në atë çka e kanë të gjithë të përbashkët, por tek ajo çka i dallon komunitetet nga njëri-tjetri, pra diversiteti kulturorë.

Edhe pse teorikisht nacionalizmi parashihej të sillte stabilitet duke i pajisur me shtet të gjitha kombet e veçanta, realisht ajo nxiti një numër të madh konfliktesh në të gjithë botën.

Kjo ideologji nxiti kombe të caktuar të ndihen superiore në krahasim me disa të tjera, rriti lakminë për pushtet, për pasuri e për mbizotërim, e si pasojë rezultoi me luftëra të panumërta kolonizuese e  pushtuese.

Luftërat shpesh arsyetoheshin me ‘të drejtën historike’, sipas së cilës dikur, në një periudhë të caktuar kohore, një shtet i caktuar ishte shtrirë në një hapësirë specifike gjeografike dhe rrjedhimisht kishte të drejtë legjitime ta rikthente brenda kufijve, duke mos e respektuar fare faktorin demografik aktual.

Një tjetër arsyetim( kamuflim i interesave reale) për luftë në mes shteteve merrej edhe përfshija e të gjithë pjestarëve të kombit të saj brenda kufijve shtetërorë, ose në fund të fundit nëse raporti i forcave ishte dukshëm i pabarabartë, shteti më i fuqishëm në marrëveshje me shtete e tjera të fuqishme, mund t’i përmbushë interesat e saj ekonomike apo gjeostrategjike me anë të pushtimeve pa pasur nevojë të jap shpjegime.

Idetë e iluminizmit e të drejtat e qytetarit u përhapën me shpejtësi në të gjithë botën, e këtij ndikimi nuk i shpëtoi as Evropa Juglindore.

Shekulli XIX e gjente Ballkanin ende nën zgjedhën osmane, Perandori e cila tashmë kishte filluar rënien në çdo repart, madje njihej edhe si ‘e sëmura e Bosforit’.

Ideologjitë perëndimore depërtuan edhe frymëzuan popujt e shtypur te Evropës Juglindore, të cilat duke shfrytëzuar dobësimin e Perandorisë Osmane, organizuan një numër te madh kryengritjesh e revolucionesh, të cilat për  Portën  e Lartë rezultuan me humbje te mëdha territoresh në pjesën evropiane të Perandorisë.

Në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, Serbia e Mali i Zi ishin çliruar më në fund nga Porta e Lartë, gjithashtu edhe Bulgaria kishte fituar një autonomi të gjerë, ndërsa Greqia kishte kohë që kishte fituar pavarsinë.

Edhe pse këto shtete e kishin përjetuar vet ndjenjën e të qenit i pushtuar, ato i shfaqën haptazi synimet e tyre ekspansioniste ndaj territoreve të banuara me shumicë absolute shqiptare.

Shteti Serb pikërisht mbi këto ‘parime’ i bazonte politikat shovinste  karshi shqiptarëve. Qëllimin e shtrirjes në trojet shqiptare, do ta mbronte me projektin e famshëm ‘Naçertania’ të Ilia Garashinit (1844), me ‘të drejtën’ e shpikur historike për rilindjen e Mbretërisë mesjetare të Stevan Dushanit.

Duke e anashkaluar komplet faktin se shqiptarët ishin në këto troje qysh prej antikitetit, ndërsa dyndjet sllave i kemi prej shekullit VII.

Një tjetër projekt në dëm të shqiptarëve ishte edhe ‘Megali Idea’ e kryeministrit grek Jani Koleti(1844), sipas të cilit Greqia ishte trashëgimtare e Perandorisë Bizantine dhe si e tillë i takonin tokat që ajo i kishte dikur në zotërim, rrjedhimisht edhe ato shqiptare.

Këto synime ekspansioniste të shteteve fqinje binin ndesh me parimin e vetëvendosjes së popujve, por kjo nuk i ndali të shpallnin aneksimin e territoreve shqiptare.

Shtypja e të drejtave jetike të popullit shqiptar rezultoi me luftëra që zgjatën deri në fund të shekullit XX (Lufta e Kosovës), duke lën pas mijëra viktima ,burgosje, persekutime, internime, tortura, shkatërrime e dhunime.

Anën e errët të nacionalizmit mund vërejme qartazi tek e kaluara e shqiptarëve në raport me fqinjtë e tyre.

Populli shqiptar kishte pësuar më së shumti nga nacionalizmi ekstrem i përdorur nga disa prej vendeve fqinje që nga shekulli XIX.