Nata e tretë me radhë e prostestës përmes ballkoneve, kërkohet heqja e mocionit të LDK-së dhe reflektimin të Kurtit

Ka vazhduar edhe sonte protesta e qytetarëve nëpër ballkone për gjendjen politike në vend.

Kjo është nata e tretë me radhë e qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar kanë shprehur revoltën e tyre duke bërë zhurmë në ballkone, nga ora 20:00 për 5 minuta.

Zhurma është bërë me mjete të ndryshme kuzhine të parrezikshme.

Qytetarët kanë bërë me dije se përmes kësaj proteste po kërkohet tërheqja e mocionit të mos-besimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie.

Koalicioni qeverisës LVV-LDK ka përjetuar çarjen më të madhe pas 44 ditë bashkëqeverisje.

Pas vendimit të kryeministrit Albin Kurtit, i cili shkarkoi nga detyra e ministrit të Brendshëm Agim Veliun, i cili është nga radhët e LDK-së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka dorëzuar në Kuvend kërkesë për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

E tërë kjo situatë po ndodh në kohën kur Kosova dhe bota po përballet me virusin e rrezikshëm Covid-19. /Telegrafi/