Në kohë murtaje edhe ujku edhe dhia bëhen bashkë

Sheh Alia i Teqes së Madhe ishte fjalëpakë. Si prijës i Parisë së shehrit, edhe sjelljes së Kajmekamit për të na treguar se ishim të nënshtruar, ia humbte fuqinë…

Nga: Jusuf Buxhovi

Kjo u pa më së miri kur pas atyre që i tha Shefki Aga rreth shpalljes se shtetrrethimit dhe fuqisë së fermanit, kërkoi që Paria e shehrit të dinte për të gjitha, veçmas për qerret me mushama që shkonin natën në drejtim të Urës së Tabakut për në Shkugëz si dhe për punën e minjve që përhapeshin natën rrugicave nga disa të panjohur…

Kajmekami u mundua që të sillej me mospërfillje ndaj Sheh Alisë, ndonëse qehrja po ia pasqyronte një mllef të brendshëm, që mezi e përthekonte.

Tha se hyqymeti i dinte punët e veta, ndërsa mileti duhej vetëm të bindej…

Kur Sheh Alia ishte gati të largohej pa ize bashkë me ne, ndërhyri Shefki Aga.

Tha se mund të ishte koha e ligë dhe e keqja e madhe që po na kërcënohej, që sillte edhe shqetësime dhe keqkuptime, por, shtoi se fermani ishte ferman dhe se atij të gjithë i nënshtrohen…

“Ne do ta luftojmë të keqen… Nuk ka ferman që e ndalon këtë…”

Kur dolëm jashtë dhe dita me diell të shëndritshëm të marsit sikur për pak na hoqi sikletin e fermanit, te skaji i urës, Lam Mula, hapi punën e sjelljes së plakave të malësisë që do të merreshin me grrithjen, që ishte punë me rrezik pas shpalljes së fermanin, por duhej bërë medoemos.

“I ke myhibët e mi të gatshëm edhe me dekë” , tha Sheh Alia. “ Mos kurse njeri… Në kohë murtaje edhe ujku e dhia bahen bashkë…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982).