Në Shqipëri hyn në fuqi “ligji” i luftës, ushtria zbarkon në rrugë

Në Shqipëri ka hyrë tashmë në fuqi “ligji” i luftës.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se kushdo që do të thyejë karantinën, do të shënohet në listën e tradhtarëve.

“Nuk do të tolerohet më ecja dhe qëndrimi.

S’qëndrojmë më me gjoba dhe këshillim, çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta.

Do t’ju hiqet çdo ndihmë financiare për të paktën një vit”,-tha Rama.

https://youtu.be/NeeylPJ5xYU

Për të siguruar izolimin, Rama tha se do të përdoret edhe forca, bashkë me gazin lot-sjellës, (i përdorur më herët edhe në protestat e opozitës).

Rama njoftoi se nuk do të ketë lëvizja nga e hëna e javës së ardhshme pas orës 13:00.

Sot ishte afati i fundit që qytetarët të ktheheshin në shtëpitë e tyre pas blerjeve.

Pas orës 13:00, në të gjithë Shqipërinë janë shpërndarë blindat e Ushtrisë.

Bashkë me Policinë e Shtetit, Ushtria është pozicionuar në të gjitha pikat kyçe për të monitoruar lëvizjen.

Asnjë person nuk lejohet të dalë nga shtëpia.

Policia vijon aksionin për ndëshkimin e personave që thyejnë rregullin.

Në 24 orët e fundit, Policia ka gjobitur 190 këmbësorë dhe u ka hequr patentën 98 shoferëve.

Kryeministri bën thirrje se jemi në luftë me një armik të panjohur dhe duhet të qëndrojmë në shtëpi, ndërkohë që numri i të prekurve me COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 79.