Në Shqipëri ulet mosha e vaksinimit në +50 vjeç, sot priten sërish vaksina Pfizer

Nga sot nis vaksinimi anti-COVID për qytetarët +50 vjeç.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në sheshin “Skënderbej”, ku ka nisur procesi i vaksinimit për këtë fashë.

“Ky është një organizim i cili është duke u bërë nga mjeku i familjes.

Por të gjithë ato qytetarë që i përkasin kësaj fashe grupmoshe mundet edhe të aplikojnë pranë portalit e-Albania, për të rezervuar ditën e vaksinimit të tyre.

Në çdo rast, mjeku i familjes do t’i njoftojë qytetarët për vendin dhe orën e vaksinimit”, ka bërë me dije Manastirliu.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë i ka bërë thirrje edhe qytetarëve që tashmë e kanë kryer dozën e parë, të paraqiten pranë qendrave shëndetësore apo pikave të vaksinimit të përqendruar, për të kryer dozën e dytë të vaksinës.

Përveç dozave të vaksinave Coronavac të ardhurave gjatë fundjavës që lamë pas, Manastirliu bëri me dije se sot priten sërish vaksina Pfizer.

“Bashkë me 100 mijë vaksinat Coronavac që mbërritën këto ditë, deri tani janë mbi 1 milion e 60 mijë vaksina të mbërritura në vend, ndërsa sot presim sërish mbi 11 mijë vaksina Pfizer”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën e përmirësuar epidemiologjike, ministrja e Shëndetësisë apeloi sërish për vigjilencë.