Nga i përjashtuar në të domosdoshëm, ngritja e Xhakës nën urdhërat e Artetas

Ishte një moment që pak njerëz kanë mundur ta parashikojnë tetë muaj më parë.

Kur Granit Xhaka të mërkurën shënoi ndaj Norwichit, ai për një moment mund të ketë menduar për atë që i ndodhi në tetor të vitit të kaluar.

Në vjeshtën e kaluar ai ishte fishkëllyer nga tifozët dhe ua kishte kthyer në mënyrë të njëjtë – me fyerje.

Reprezentuesi i Zvicrës u largua nga skuadra për një kohë, humbi shiritin e kapitenit dhe largimi i përhershëm nga Emirates dukej i pashmangshëm.

Hertha Berlini kishte bërë gati ofertën për të.

Sipas “goal.com” , që ka shkruar një artikull të gjatë për Xhakën të shtunën, ajo lëvizje do të realizohej, sikur Unai Emery të mbetej në klub.

Por erdhi Mikel Arteta dhe gjërat ndryshuan.

Për Xhakën, për të mirë.

Arteta u ul dhe bisedoi me Xhakën.

Ia bëri të qartë se është esencial në planet e tij.

Arteta i ofroi përkrahje të plotë mesfushorit dhe bëri që Xhaka të ndihet i mirëseardhur sërish në skuadër.

“Absolutisht”, është përgjigjur Arteta kur është pyetur nëse Xhaka është kthyer plotësisht.

“Ai është lojtar që ka angazhim përtej normales”.

Goli i së mërkurës ka kompletuar atë që ishte një kthesë e jashtëzakonshme për Xhakën.

Pak kush ka mundur të parashikojë këtë në pasditen e vështirë të tetorit.