Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sapo ia ka dërguar liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti vendimin për nominim për postin e Kryeministrit të Kosovës.
Mësohet se në marrëveshje me Kurtin, vendimi në fjalë ka shkuar me zarf në zyre të Vetëvendosjes.
Kjo pasi Kurti nuk shkoi te Presidenti Thaçi, që e kishte ftuar për ta pranuar dekretin sot më 20 janar 2020, në orën 12:00.
Po sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurrti vetëm pak minuta pasi partia e tij bëri edhe zyrtarisht propozimin për madatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, është paraqitur në një video ku jep detaje pse është marrë ky hap.
Me rastin e dërgimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kurti si edhe herë të tjera ka sqaruar pse morën këtë hap pa një marrëveshje me LDK-në.
Ai theksoi se nuk kanë ndërmend të kthehen në vitin 2019 dhe se LDK-ja duhet të shqyrtojë ofertat e Vetëvendosjes, në mënyrë që të krijohet sa më parë Qeveria dhe të vihet në vend vullneti qytetar i shprehur me 6 tetor 2019.
Kurti tha se ofertat e drejtuesve të LDK-së “merre ose lere”, janë për të mos u formuar Qeeveria.
Si do qoftë, lideri i Vetëvendosjes tha se është i gatshëm që ditëve në vijim të mbajnë takimet si përpjekje për të arritur koalicionin.
Ndërkohë që Kryesia e re e Kuvendit të Kosovës tashmë e ka filluar mbledhjen e parë të saj, e cila ishte thirrur ditë më parë nga kryekuvendari, Glauk Konjufca.
Në këtë mbledhje po marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, si nga LVV, LDK, PDK dhe nga minoritetet.