Nuk kemi bërë marrëveshje për t’u thirrur

Ndër “problemet shoqërore” që po mbretërojnë në shoqërinë tonë është edhe shijimi i efeketeve të marrëveshjeve që nuk i kemi nënshkruar.

Duke u nisur prej asaj se “jemi miq”, po harrojmë që çdo miqësi ka kufijtë e vet.

Kufijtë racionalë të mirësjelljes.

Rrëfimi është ky: dalin dy (apo sidomos kur janë më shumë) veta – të rinj – në kafiteri për të pirë kafe.

Dhe, sipas zakonit bashkëkohor, kjo gjendje e tyre del në rrjete sociale.

E keqja zë fill atëherë kur miku tjetër, që po ashtu parimisht është mik i ngushtë me këta që janë duke pirë kafe, i gufon zemra dhe i lind dëshira – e njëkohësisht edhe zilia – të kishte qenë i pranishëm në atë ngjarje.

Në atë rast ai bën idenë se si t’i “ndëshkojë” miqtë. I brof në mendje t’u shkruajë “Pse nuk po (më) thirrni (edhe mua)?” Dhe në të vërtetë ua shkruan.

E këtu lind problemi, për të cilin po mundohem të qartësojmë dy gjëra.

Si pikë e parë, nuk është bërë marrëveshje që çdoherë kur shihen dy – apo më shumë – veta, duhet t’i thërrasin të gjithë të tjerët që i kanë miq, sepse do të krijohej kaos.

E dyta, as ne gjithnjë nuk i thërrasim të gjithë miqtë kur dalim.

Ndonjëherë thërrasim ndokënd, e të tjerë nuk thërrasim.

Prandaj, jemi të barabartë këtu.

Nuk ka vend për hidhërim këtu.

Nuk duhet të ketë.

Duhet të ripërvetësojmë sjellje më fleksibile.

Për fund, nuk duhet të mendojmë se ne jemi ata pa të cilët “muhabeti” nuk do të shkonte mirë.

Të mos bëhemi egocentristë.

Të lëmë hapësirë edhe pa ne.

T’i thërrasim edhe ata që nuk na thërrasin.

Të mos bëhemi si “ata të këqijtë që nuk na thirrin”! Kjo vlen nëse ne jemi të mirët, kuptohet.