​Ora e parë e mësimit në Kosovë dhe Shqipëri i dedikohet Lidhjes së Prizrenit

Për nder të 144 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat në Kosovë dhe Shqipëri do t’i dedikohet kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se është e lumtur që këtë vendim e kanë marrë bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, për t’ua mundësuar nxënësve tanë në të dyja vendet, që të flasin njëkohësisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

“Kështu, ne po bartim së bashku te gjeneratat e reja veprën frymëzuese të intelektualëve dhe atdhetarëve të kohës dhe lavdinë e historisë shqiptare”, ka thënë ajo.

Ndryshe, sot mbushen 144 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.