Osmani pas shkarkimit: Ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor

Ish-nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani, ka reaguar pas lirimit të saj nga detyra pas propozimit që kishte bërë kryetari i kësaj partie Isa Mustafa.

Osmani tha se u përjashtua për shkak se e ka mbajtur fjalën në premtimet e saj, dhe një ndër arsyet ishte se është grua.

“Po përjashtohem e diferencohem sepse: Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.

Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen”.

“U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, ka thënë Osmani.