Pa maska e në ambient të mbyllur, Sami Lushtaku nuk respekton vendimet antiCOVID të Qeverisë

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku ka takuar sot një numër të madh të banorëve të Klinës së Poshtme dhe Abrisë.

Pavarësisht masave antiCOVID, në fotografitë e publikuara në Facebook nga Lushtaku, shihet se ai ka takuar shumë qytetarë, shumica e të cilëve ishin madje edhe pa maska.

Distanca shihet se nuk respektohet, ndërkaq në dy nga fotografitë takimet duket se janë mbajtur në ambient të mbyllur.

“Në lagjen Bajrami të Klinës së Poshtme dhe në lagjen Avdiu të Abrisë, takova shumë qytetarë mbështetës të PDK-së.

Ashtu si gjithmonë, përkrahja e tyre për PDK-në është e madhe sepse të gjitha projektet në këto pjesë të Skenderajt kanë ardhur me qeverisjen e PDK-së.

Vizioni ynë për zhvillimin e mëtejshëm të Skenderajt do të vazhdojë pas 17 tetorit sepse fitorja jonë është e padiskutueshme”, shkruan Lushtaku.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë vlerësimin në lidhje me ndikimin e procesit zgjedhor në gjendjen epidemiologjike në vend, përmes një letre drejtuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanit.

Në këtë letër drejtuar Presidencës, Task Forca e IKSHPK-së ka thënë se rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën që IKSHPK-ja ia ka dërguar presidentes Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të hënën takoi krerët e partive politike për t’u konsultuar rreth shtyrjes së zgjedhjeve pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për shtyrje të procesit zgjedhor.

Shumica e partive politike parlamentare ishin kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, si PDK, LDK, AAK, ndërsa nga Vetëvendosje janë deklaruar pro shtyrjes së zgjedhjeve.

Edhe nga partitë nga radhët e komuniteteve ishin të ndara rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale.