Pamjet e trishta nga spitali i Bergamo, pacientët rënkojnë për të marrë frymë, mjekët vrapojnë nga njëri te tjetri

Janë trishtuese pamjet e publikuara në mediat e huaja, brenda spitaleve në Itali, ku mjekët duken të veshur si astronautë dhe pacientët me “kokore” në kokë, në përpjekje për të marrë frymë.

Fotot që do shihni më poshtë janë filmuar në një repart urgjence në spitalin e Bergamo në Lombardi.

Aty ku shkalla e vdekjeve në vend i kapërceu shifrat e Kinës, duke arritur në 3,405 jetë të humbura dhe në qytet nuk ka më vend për varre.

Në video duken mjekët e veshur me kostumet mbrojtëse teksa nxitojnë midis pacientëve në një repart të mbushur plot, ku pacientët dëgjohen duke rënkuar në kërkim të ajrit për të marrë frymë, ndërkohë që monitorët dëgjohen vazhdimisht.

Mjekët në këtë rajon raportohet se po e quajnë shpërthimin vdekjeprurës “Apokalips”, pasi vendi regjistroi 427 vdekje të reja brenda 24 orësh duke e bërë atë epiqendrën e re të krizës me 41,000 raste të infektuarish.

Sipas Sky News, fluksi i pacientëve në urgjencë është një “konstante absolute” dhe pandemia është një “emergjencë katastrofike” e cila është “jashtë kontrollit”.

Dr Roberto Cosentini i tha Sky News se COVID-19 nuk është si gripi i zakonshëm, duke thënë:

“Jo, është krejtësisht tjetër gjë.

Më shumë pneumoni sesa grip … është një pneumoni shumë e rëndë dhe kështu është një shkaterrim masiv për çdo sistem shëndetësor”.