Pandemia, dialogu, ekonomia e arsimi – a mund t’ia dalë “qeveria Hoti”?

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti në koalicionin midis Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re mund të fillojë punë qysh javën tjetër.

Kështu janë shprehur zyrtarë të të gjitha partive pjesëmarrëse në këtë koalicion, ani pse kjo është kundërshtuar ashpër nga qeveria në detyrë Kurti, e madje është paralajmëruar edhe rezistencë e se nuk do të lëshohen zyrat e qeverisë.

Kjo situatë politike është krijuar pas rrëzimit të qeverisë me mocion mosbesimi të suksesshëm të inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas kësaj, presidenti i Kosovës kërkoi emrin e mandatarit nga Lëvizja Vetëvendosje e këta të fundit nuk e dërguan një të tillë.

Në mbledhjen e organizuar të presidentit me krerët politikë të subjekteve parlamentare ai vendosi se do t’ia japë mandatin e formimit të qeverisë kujtëdo që i ka numrat për ta bërë këtë.

E një marrëveshje për të formuar qeverinë e re ekziston, koalicioni LANA!

Por, sa do t’ia dalë kjo qeveri e udhëhequr nga i nominuari i LDK-së për kryeministër të vendit, Avdullah Hoti?

Opinionisti Blerim Burjani për lajmi.net ka thënë se pandemia, dialogu, ekonomia dhe arsimi do të jenë sfidat kyqe të kësaj qeverie e cila duhet të hartojë planprogramin e saj emergjent.

“Pandemia, dialogu, ekonomia dhe punëtorët që kanë humbur punën për shkak të pandemisë.

Çështja e organizimit e sidomos mbajtja e testeve për vlerësim në të gjitha nivelet, pandemia është në pikun e saj dhe tash gradualisht rastet duhet të bien dhe situata është nën kontrollë relativisht mirë.

Dialogu mund të zhvillohet, Thaçi dhe kryeministri Hoti do të jenë bartës të procesit.

PDK çfarëdo marrëveshje që arrihet do ta votojë në kuvend për shkak se Thaçi përkrahe tnga deputetët e PDK-së.

Kadri Veseli do të jetë anëtar i Grupit Negociator.

Nga qeveria e re pritet program i ri qeverisës emergjent, pritet të shihen detaje programore pas aprovimit në Kuvend jo më larg se deri më 1 qershor apo edhe më herët”, tha Burjani.

Më tutje, ai tha se pandemia do t’ia drejtojë programin qeverisë së re duke thënë se edhe arsimi mbetet sfidë e madhe – në të cilën qeveria aktuale ka dështuar.

“Pra, prioritetet i vendos situata aktuale e pandemisë, hapja e kontrolluar e bizneseve hap pas hapi është e domosdoshme, unë mendoj që 80 për qind duhet të rihapen në mënyrë immediate, testet për nxënës mund të organizohen në ambienta të hapura, stadiume, apo ambiente tjera që duhet të përcaktohen nga qeveria e re, viti nuk guxon të shkojë kot dhe deri tash qeveria ka dështuar në gjetjen e zgjidhjes.”, tha Burjani.

Më tutje, analisti tjetër Jeton Brajshori thotë se Kosova është futur në krizë politike, ndërsa sfidat kryesore të qeverisë së re i sheh pandeminë, ekonominë dhe vazhdimin e dialogut.

“Qeveria e cila pritet të formohet javën që vjen, do të jetë pjesë e shumë polemikave, për arsyje se po ndodhë për herë të parë në vendin tonë që mandatin ta merr partia jo fituese e zgjedhjeve e që në këtë rast është LDK-ja.

Do të jetë gjykata kushtetuese ajo e cila do ta jap mendimin e saj sa i përket kësaj çështje, pasi që VV-ja e ka paralajmruar se këtë çështje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Pa marrë parasysh verdiktin final vendi veq është futur në një rrugë shumë të rrezikshme.

Normalisht se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, duke filluar nga COVID19, problemet ekonomike që do të dalin nga kjo e sidomos vazhdimi i dialogut me Serbinë.”, tha Brajshori.

Më tutje ai tha se qeveria mund të mos jetë efikase, duke kujtuar përplasjet midis akterëve të këtij koalicioni.

“Sa do të jetë efikase kjo qeveri, pasi që ka patur akuza të rënda mes akterve, mos të harrojmë akuza e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa në drejtim të zotit Haradinaj duke i përmendur “Liqenin e Radoniqit” , si dhe akuza të shumta për subjektin e NISMA-së për korrupsion.

Paradoksi në gjithë këtë qendron se totalisht është injoruar zonja Vjosa Osmani e cila edhe ishte kandidate për postin e kryeministres në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa është futur në lojë Skender Hyseni i cili ishte lidhja direkte mes LDK-së dhe SHBA-ve.

Është absurde se si një parti e cila thirret në vlerat demokratike kaq haptas bënë “linqim” për personin e dytë më të votuar në vend, e cila po ashtu është e preferuara e elektoratit të LDK-së.”, tha Brajshori.

Më tutje, Brajshori tha se kjo qeveri mund të jetë fragjile, duke pasur parasysh se edhe bisedimet me Serbinë kanë hyrë në fazën përfundimtare.

“Qeveria e re do të jetë fragjile për arsyje se nuk ka legjitimitet te sovrani, (merreni situatën e NISMA -AKR të cilët me “zor” u futën në parlament, ndërsa tash fal LDK-së ata e faktorizojn vetën ) , të cilët votuan për ndryshime duke e derguar PAN-in në opozitë.

Kjo qeveri mund të themi se qysh tani do ti ketë tre kryeministra, zotin Haradinaj, zotin Limaj dhe zotin Hoti i cili do të jetë një lojtar i dobët karshi dy të parëve! Bisedimet me Serbinë veq kanë hy në fazën përfundimtare dhe qeveria duhet të ketë një strategji të qartë se si do ti qaset këtyre.

Serbia nuk besoj se pa i përfunduar zgjedhjet nacionale të cilat janë shtyer shkaku i pandemisë do të jetë e gatshme të nënshkruaj ndonjë marrveshje përfundimtare, ndërsa ngutia e zotit Grenell për një marrveshje të shpejtë që të përdoret kjo gjatë fushatës presidenciale në SHBA që fillon në nëntorr, duke se po zbehet për arsyje se debati thuajse i tëri do të zhvillohet për pandemin dhe dështimin e administratës Trump që ta ketë nën kontroll.

Do të jetë interesant të shikojm se si ata që ishin kundër heqjës së taksës e që ishte kusht themelor për vazhdimin e dialogut do të subordinohen pa kushte në vazhdimin e dialogut.”, tha Brajshori.

Në fund ai tha se VV-ja nuk do të rrijë duarkryq sepse ka paralajmëruar se do të pengojë formimin e kësaj qeverie.