Paralajmërimi i LDK-së për prishje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje

Kauza pseudopolitike, getoizim, anti-amerikan, janë disa nga cilësimet që janë duke iu bërë Lëvizjes Vetëvendosje, (LVV), nga partneri i tij qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ndonëse paralelisht thuhet se ky është një koalicion i fuqishëm, zyrtarë të LDK-së, janë duke lëkundur, themelet e bashkëpunimit me VV-në.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është duke paralajmëruar partnerin e tij qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje, për një prishje të koalicionit.

Cilësimet si ant-amerikane, getoizim i vendit janë duke lëkundur themelet e një bashkëpunimi VV-LDK, ndonëse paralelisht thuhet se është një koalicion i fuqishëm, shkruan Gazeta Insajderi.

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar shefin e tij, kryeministrin Albin Kurti se nuk do ta lejoj që agjenda e tij qeverisëse ta dërgoj shtetin në getoizim.

“Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE.

Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim”, ka shkruar Hoti sot në Facebook.

“Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, ka shtuar Hoti.

Këtij qëndrimi i vije edhe një përforcim nga deputeti tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj.

Në një prej emisioneve televizive, deputeti Selmanaj kishte reaguar ndaj vendimit të kryeministrit Kurti, ku ky i fundit përmes një konference për media deklaroi se do të ketë heqje të pjesshme të taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Për Selmanaj mos heqja totale e taksës 100 përqind është një vendim anti-amerikan.

“Stabiliteti i Qeverisë sot është i plotë.

Por, LDK-ja në asnjë variant nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e një qeverie që mund të konsiderohet anti-amerikane. Por në këtë fazë, kjo temë as që është shtruar brenda LDK-së.

Koalicioni është i fuqishëm”, kishte thënë Selmanaj.

Kryeministri, Kurti ka bërë të ditur që me 15 mars do të marr vendim për heqjen e taksës 100 përqind.

“Do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, kishte thënë Kurti.

Por ky vendim i Kurtit, nuk ishte përkrahur nga i Dërguari i Special i presidentit të ShBA-së, për Dialogun Kosovë – Serbia, Richard Grenell.

Grenell, i kishte reaguar kryeministrit Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, duke i thënë: “Zotëri Kurti jeni duke bërë një gabim të madh”.

“Ne nuk nuk e mbështesim Kryeministrin Kurti, për heqjen e pjesshme.

Pozicioni ynë është i qartë: tarifa duhet të hiqet plotësisht.

Zotëri Kurti është duke bërë një gabim të madh dhe kjo u bë e qartë nga presidenti Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, kishte shkruar Grenell.

Ndërsa tri ditë pas këtij postimi, largimin e tërësishëm të taksës e kishte kërkuar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa kishte thënë përmes një postimi në Facebook, se taksa të hiqet ashtu siç është duke kërkuar ShBA.

“Shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.

Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.

Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të”, kishte shkruar Mustafa.