Pasaportat më të fuqishme në botë

Pasaportat e Singaporit dhe të Japonisë janë më të fuqishmit në botë për vitin 2018, ka bërë të ditur sistemi i rangimit vjetor.

Dy vendet në fjalë kanë rrëzuar nga froni Gjermaninë, e cila një vit më parë zinte vendin e parë, ndërsa Singapori e Japonia të katërtin respektivisht të pestin.

Gjermania tashmë është në vendin e dytë, e ndjekur nga Danimarka, Finlanda, Franca, Italia, Spanja, Suedia e Koreja Jugore, të cilat së bashku ndajnë vendin e tretë.

Në indeksin e restrikcioneve për viza të kompiluar nga firma ligjore “Henley & Partners”, vendin e katërt e ndajnë Portugalia, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Holanda, kurse të pestin Kanadaja, Zvicra, Irlanda dhe SHBA-ja.

Këto rangime bëhen çdo vit dhe bazohen në numrin e vendeve që një pasaportë mund t’i japë një personi qasje pa vizë.

Kosova ndërkaq radhitet në vendin e 97, së bashku me Libanin, Iranin dhe Bangladeshin.

Nga rajoni, Sllovakia dhe Sllovenia pozicionohen më së miri, gjegjësisht ndajnë pozitën e 12-të.

Kroacia gjendet në vendin e 20-të, e ndjekur nga Serbia (41), Mali i Zi e Maqedonia (47), Bosnja (52) dhe Shqipëria (54).

Ndërsa, pas Kosovës janë Eritrea (98), Libia e Nepali (99), Jemeni (100), Somalia (101), Pakistan (102), Siria (102), Iraku (104) dhe Afganistani (105).