Pastronte gropën e gëlqeres, burri gjen arsenal armësh

Një burrë nga Gramshi ka mbetur i befasuar, kur teksa pastronte gropën e gëlqeres në tokën e tij ka zbuluar një arsenal të vërtetë armësh.

Bëhet fjalë për një 62-vjeçar me inicialet B.K., banues në lagjen “Sporti” Gramsh.

Ai ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Gramsh, se duke pastruar gropën e gëlqeres në ish-Gardën e qytetit Gramshit, pronë e tij, ka konstatuar disa kaseta me fishekë.

E sinjalizuar për këtë rast policia dhe forcat xheniere kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur 18 pushkë model 56, të ndryshkura dhe 80 kuti me fishekë model 65, kalibër 7.62 mm.

Por fishekët ishin të dëmtuar nga lagështia.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për vlerësim.