PDK sot pritet të dorëzojë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të ZRRE-së

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, do të dorëzojnë sot në ora 11:00 në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kjo për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 077/22 të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Javë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi masë të përkohshme pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRrE-së pas ankesës së PDK.

Këta të fundit në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit që të zbatojnë vendimin e gjykatës.

Ndryshe, edhe shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri një ditë më parë bëri të ditur se të premten PDK do të dorëzojë kallëzimin penale.

“Ne qysh nesër do të procedojmë me kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për secilin anëtarë veç e veç të ZRRE-së”, tha ai të enjten.

“Ky është një haraq që këta vartës të Albin Kurtit kanë vendosur me ua vënë qytetarëve të Kosovës, por ne nuk do ta tolerojmë në gjë të tillë”, tha ai. /Telegrafi/