Për herë të parë në Amerikë emërohet një shef policie mysliman, betohet mbi Kuran

Qyteti i Patersonit në New Jersey ka emëruar për herë të parë një shef policie mysliman me etni turko-amerikane.

Ibrahim “Mike” Baycora u betua me dorën e majtë mbi Kuran si shefi i 17-të i policisë në një ceremoni, njofton Klan Kosova.

Ai ka shërbyer në departamentin e policisë për më shumë se tri dekada.

Ceremonia filloi me himnin kombëtar dhe me lutje.

Aty morën pjesë anëtarët e komunitetit turk në New York dhe New Jersey, zyrtarë të lartë të qeverisë lokale të Patersonit, si dhe familja e të afërmit e Baycoras.

Baycora zëvendësoi Troy Oswald, i cili e la postin në shkurt.

Duke folur në këtë ceremoni, Kryetari i Bashkisë së Paterson, Andre Sayegh, tha “Merhaba”, “Hosgeldiniz” dhe “Nasılsın?” në gjuhën turke.

Sayegh tha se Baycora “do të jetë shefi i parë turk në polici në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai do të jetë myslimani i parë si shef i policisë në qytetin e Paterson”.

“SHBA ka bërë histori”.

Ndërkaq, Baycora, tha se ishte krenar për kombësinë dhe origjinën e tij.

“Paterson ka qenë në gjakun tim tërë jetën dhe tani që jam shefi i policisë së tij pas një karriere 32-vjeçare – çfarë nderi”.

Duke folur për Anadolu Agency pas ceremonisë, Baycora tha: “Jam shumë i lumtur dhe i bekuar”.

“Në këtë vend, ka mundësi.

Nuk ka rëndësi se nga vjen”.

Baycora, 60 vjeçar kishte migruar në SHBA si foshnjë dhe u rrit në Paterson.