Piknik gjatë pandemisë: Suspendohen drejtori i BSL-së dhe komandanti i Njësisë Speciale

Komandanti i Njësisë Speciale në Policinë e Kosovës, Amir Gërguri, është suspenduar nga puna.

Bashkë me të edhe një zyrtar policor.

Tri ditë më parë ata kanë dalë në piknik me një person me dosje penale, Blerim Poterën.

Përveç Poterës, ata shoqëroheshin edhe nga Nazmi Thaçi e Bedri Mustafa.

Thaçi është vëllai i presidentit e Mustafa, vëllai i ish-deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës e ka konfirmuar shkarkimin e këtyre dy zyrtarëve, raporton KOHA.

Qalaj ka thënë se arsyet pse janë suspenduar këta zyrtarë është sepse kanë shkelur masat e kufizimit të lëvizjes dhe se janë shoqëruar me një person me të kaluar kriminale.

Ai ka thënë se këtë rast e ka përcjellë në Inspektoratin Policor për hetim të mëtutjeshëm.

Në këtë ‘aheng” ka marrë pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka suspenduar atë, pasi u informua për rastin një ditë më parë nga raportimi i KOHËS.

Ajo ka thënë se suspendimi i Buleshkajt duhet të shërbejë si shembull edhe për zyrtarët e tjerë që veprimet e tilla nuk do të tolerohen.

Haxhiu ka thënë se tashmë është formuar një komision brenda Ministrisë për këtë rast.

Nuk është hera e parë që zyrtarët e institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë shoqërohen me persona me dosje penale.

Mediat patën raportuar para rreth 2 vjetësh se i akuzuari për disa rate, Blerim Potera kishte drekuar me disa zyrtarë të shërbimit korrektues, përfshirë edhe Buleshkajn.