Po vjen i nxehti afrikan/ Temperatura të larta nga fundjava

I nxehti afrikan po mbërrin në rajon me temperatura deri në 40 gradë celcius që javën e ardhshme.

Një zonë e gjerë presioni të lartë po nxeh motorët për një fundjavë tropikale dhe një korrik që do të fillojë vrullshëm.

Meteorologët italianë parashikojnë ardhjen e të nxehtit afrikan që këtë fundjavë dhe që do të zgjasë për gjatë gjithë javës së ardhshme si pasojë e ajrit të nxehtë nga anticikloni afrikan që do të fillojë të ngrohë klimën në shumë rajone.

Kulmi i të nxehtit, sipas tyre, parashikohet për javën e ardhshme.

Por, ekspertët nuk përjashtojnë edhe stuhi të shkurtra e të rrëmbyera, vecanërisht në zonat me lartësi të madhe mbi nivelin e detit.

Vala e të nxehtit në fakt ka përfshirë Evropën që gjatë kësaj jave, me temperaturat që arriti 47 gradët celcius në Sevilje të Spanjës por edhe në zona të tjera.

Franca, Belgjika, Britania e madhe po ashtu shënuan temperatura të larta dhe njerëzit, të çliruar tashmë edhe nga izolimi, iu drejtuan parqeve dhe brigjeve të detit e liqeneve, në kërkim të freskisë.

Nga e hëna ndërkohë, pritet një rritje e madhe temperaturash edhe në rajonin e Mesdheut, përfshirë vendin tonë, dhe ajri i nxehtë që vjen nga zemra e Afrikës do të bëjë që mërkuri në termometër të arrijë 40 gradët celcius në shumë zona.