Podujeva tre muaj pa kryetar, kritikohet moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve

Përhapja e koronavirusit në Kosovë dhe ballafaqimi me të ka pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve komunale në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Megjithëse në Kosovë javën e fundit është shënuar rritje e numrit të të infektuarve me COVID 19, autoritetet kosovare lejuan mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë.

Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve komunale, e në anën tjetër lejimi i atyre serbe, për kandidatin për kryetar të Podujevës nga Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, është veprim i paprecedent dhe papërgjegjësi e institucioneve kosovare, raporton KOHA.

Derisa nga subjektet politike në veri të Mitrovicës thonë se është dashur të lejohet edhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të kësaj komune.

Shoqëria civile konsideron se mbajtja e asnjë palë zgjedhjeve në kohë pandemie nuk do të duhej të ndodhte.

Arsyetimi se zgjedhjet serbe po lejohen edhe këtë herë sepse janë mbajtur edhe në të kaluarën, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, është i gabuar.

Pa kryetar, tash e tre muaj, ka mbetur Komuna e Podujevës, pasi Agim Veliu u bë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Në zgjedhje komunale do të shkojë edhe Mitrovica e Veriut, pasi Goran Rakiq u zgjodh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Avdullah Hotit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të këtyre komunave u vlerësua se nuk është e sigurt të mbahen shkaku i përhapjes së koronavirusit.