Presidenti pas vdekjes së 82-vjeçarit, paralajmëron: Të jemi të gatshëm për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme pas vdekjes së parë nga virusi korona.

Në një reagim në Facebook, Presidenti ka falënderuar mjekët dhe ka kërkuar nga qytetarët të rrinë në shtëpi si masë për të parandaluar virusin COVID-19.

Postimi i plotë i presidentit Thaçi:

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë.

Institucionet shëndetësore i falënderoj për përkushtimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që po tregojnë në këto rrethana të rënda.

Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi.

Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme.

Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, ka shkruar Presidenti ne Faceook.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës.

E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.