Albin Kurti nuk ka edhe shumë kohë që t’i dërgojë presidentit emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë.
Ky ka qenë paralajmërimi i kreut të shtetit, Hashim Thaçi për Kurtin gjatë së shtunës, të cilit i ka kërkuar të refuzojë këtë përgjegjësi, nëse nuk është i gatshëm për të qeverisur.
Thaçi ka thënë se tashmë ka vendosur nënshkrimin e tij në vendimin për ta mandatuar Kurtin, dhe se po pret që edhe kryetari i Vetëvendosjes t’i shkojë në zyrë dhe ta firmosë atë vendim.
Paralajmërimi tjetër i Presidentit ka qenë ai se vendi nuk do të vazhdojë të jetë i bllokuar për kohë të gjatë, duke lënë të kuptohet se mund t’i dëgjojë edhe zgjidhjet e partive tjera.
“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar, do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe variacionet politike që kanë partitë për respektimin e vullnetit qytetar”, ka thënë Thaçi.
Në anën tjetër, kanë vazhduar edhe më tutje mospajtimet ndërmjet VV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar në një intervistë për portalin Koha.net se nuk mund të bisedojë me të njëjtën logjikë si të Vetëvendosjes.
“Nuk është LDK-ja, ajo që kërkoi të kthehemi para datës 26 dhjetor, por LVV-ja, sepse ne si LDK, ecurinë e marrëveshjes e kemi lënë pikërisht para 26 dhjetorit.
Dhe, LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer të LVV-së.
Ne nuk jemi në luftë; vetëm me logjikën e luftës okupohet territori i një vendi, pastaj i thuhet eja të merremi vesh për territorin tjetër, por këtë që e kam okupuar mbetet i imi!?”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa e ka quajtur “ese ideologjike” letrën e fundit të Albin Kurtit, në të cilën LDK-së i kërkon të heqë dorë nga shkarkimi i Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit.