Web Analytics
BallinaPronat e Manastirit të Deçanit, zor se mund t’i kthehen Kosovës

Pronat e Manastirit të Deçanit, zor se mund t’i kthehen Kosovës

Glauk Konjufcës, i cili së fundmi u zgjodh kryetar i Kuvendit, një nga kërkesat e para në pozitën e re, i ka shkuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan.

Siç kanë bërë edhe ndaj kryetarëve të kaluar të legjislativit, historianët e kësaj ane i kanë kërkuar atij të nxjerrë një ligj të veçantë i cili, sipas tyre, do t’i shpallte si të pavlefshme vendimet, ligjet dhe aktet e tjera, të periudhës ndërmjet viteve 1990-1999, atëherë kur Jugosllavinë e drejtonte Sllobodan Millosheviq, raporton KTV.

Lidhja e Historianëve përmend dy vendimet, përmes të cilave, tokat e dy ndërrmarrjeve u janë falur Manastirit të Deçanit, të cilin serbët e konsiderojnë si trashëgimi të tyre kulturore.

“Lidhja, bashkë më të gjitha strukturat e saj, është vënë në kundërshtim të zbatimit të ligjeve, akteve nënligjore dhe vendimeve të kohës së masave të dhunshme, respektivisht të kohës së viteve 1990-1999, kohë kur regjimi famëkeq i diktatorit të fundit të Evropës, Sllobodan Millosheviqit, ndërmori një seri masash kundër Kosovës, e në veçanti, na shqetësojnë dy vendimet, gjegjësisht ai i vitit 1993 dhe ai i vitit 1997, me të cilat vendime (akt faljeje) tokat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, tjetërsohen dhe i falen Manastirit të Deçanit”, ka thënë LHK, Dega në Deçan.

Në kërkesë tutje thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 për t’ia dhënë manastirit 23 hektarë tokë Manastirit është miratim i vendimeve të kohës së Millosheviqit dhe përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Siç jeni në dijeni edhe ju, por edhe i gjithë opinioni i gjerë, se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Arta Rama-Hajrizi, në mbledhjen e saj të datës 21 maj të vitit 2016, ka marrë vendimin me anë të Akt-gjykimit nr. ref. AGj9 43/16, që pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” ia fal Manastirit të Deçanit dhe me këtë akt, Gjykata Kushtetuese e drejtuar nga Arta Rama-Hajziri, ka legalizuar vendimet e kohës së Millosheviçit dhe ka shkelur rëndë aktin me të lartë juridik të vendit tonë, pra Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej LHK-ja.

Në Institutin e Historisë thonë se paligjshmërinë e vendimeve të marra në kohën e Millosheviqit e ka konfirmuar edhe misioni i UNMIK-ut.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se me këtë ligj të veçantë që po kërkohet nuk mund të shfuqizohet vendimi i Kushtetueses për dhënien e tokave Manastirit të Deçanit.

Këto toka, sipas avokatit Arianit Koci, Kosova do të mund t’i kthente përmes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por një gjë e tillë nuk mund të bëhet derisa shteti nuk është anëtar i Këshillit të Evropës.

Koci thotë se Kosova tani nuk ka telashe me ligjet diskriminuese të kohës së Millosheviqit, por me vendime që i kanë miratuar ato.

Këto ligje, sipas avokatit Koci, janë miratuar në atë gjendje përmes disa ndërkombëtarëve që kanë vepruar në Kosovë.

Televizioni ka provuar të marrë qëndrimin e kryeparlamentarit Konjufca nëse do ta shqyrtojë këtë kërkesë, por kontakti me të gjatë së shtunës ka qenë i pamundur.

Miratimi i një projektligji për komunitetet fetare në Mal të Zi, ka frikësuar presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Kosovë.

Rrjetet Sociale

Na ndiqni
613,801FansaPëlqeje
28,304NdjekësitNdjek
1,001NdjekësitNdjek

Të Fundit