Web Analytics
BallinaProtesta e punëtorëve shëndetësorë, deklarohet Qeveria: Po punojmë për hartimin e Ligjit...

Protesta e punëtorëve shëndetësorë, deklarohet Qeveria: Po punojmë për hartimin e Ligjit të Pagave

Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar për të kërkuar rregullimin e gjendjes së tyre sociale përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe zbatimin e tij nga janari 2022.

Menjëherë pas kësaj proteste, në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se janë duke punuar në hartimin e Projektligjit për Pagat.

“Grupi punues aktualisht është duke punuar në Projektligjin për Pagat, i cili pasi të hartohet do të dërgohet për konsultime paraprake dhe konsultime publike.

Qeveria synon përgatitjen e një serie të dëgjimeve publike, me qëllim që ky Ligj të hartohet në mënyrë të duhur dhe të zgjidhë problemin në term afatgjatë”, tha Kryeziu.

Ai ka shtuar se ky Ligj i miratuar gjatë Qeverisë së kaluar ka krijuar pabarazi të mëdha.

“Ligji për Paga në sektorin publik është ndër ligjet me komplekse në agjendën tonë legjislative.

Ligji i miratuar nga Qeveria e kaluar kishte krijuar pabarazi të mëdha, dhe si rrjedhojë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngushtuar terrenin për hartimin e këtij Ligji.

Këto janë arsye shtesë pse hartimi i këtij Ligji kërkon më shumë kohë, në mënyrë që të adresohen gabimet e kaluara që kanë krijuar pabarazi, por edhe që Projektligji i ri të jetë në përputhshmëri me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Sipas Kryeziut, pagat në këtë sektor janë të rregulluara me një numër të madh të akteve ligjore dhe me këtë janë krijuar situata konfuze.

“Aktualisht pagat në sektorin publik janë të rregulluara me një numër të madh të akteve ligjore dhe nënligjore të ndryshme, dhe kjo ka krijuar për vite një situate konfuze.

Prandaj ne tani jemi duke u angazhuar maksimalisht për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka përfunduar Kryeziu.

Ligji i cili ishte shpallur i i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë.

Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve.

Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë.

Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/

Rrjetet Sociale

Na ndiqni
613,801FansaPëlqeje
28,304NdjekësitNdjek
1,002NdjekësitNdjek

Të Fundit