PZAP-ja gjobit AAK-në me 20 mijë euro e PDK-në me 1 mijë për gjuhë urrejtjeje ndaj Osmanit e Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë gjobitur për përdorim të gjuhës së urrejtjes, nga PZAP-ja.

Në vendimet e publikuara nga përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, kuptohet se AAK-ja është gjobitur me 20 mijë euro pasi ka përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj u.d e presidentit, Vjosa Osmanit.

“AAK, përmes një videoincizimi kishte përdorur gjuhë linçuese e degraduese, që në vetvete përbën gjuhë të urrejtjes duke e krahasuar U.D Presidenten Vjosa Osmani me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Dhe për këtë ky subjekt politik është gjobitur me 20,000.00 (njëzet mijë euro)”, shkruan në Facebook.

Ndërkaq PDK-ja me 1 mijë euro për gjuhë kundër kreut të VV-së, Albin Kurtit.

“Në vazhdën e kësaj, mbështetësi i PDK-së, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti, duke manipuluar me një vidoincizim kinse në një tubim të mbajtur në Shtërpcë, Lista Serbe po e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje.

Në postimin e tij në Facebook, ai kishte krahasuar Albin Kurtin me figurën e Esat Pashë Toptanit”, sqaron Sallahu.

Për të dyja rastet, VV-ja ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa./koha