Bëhet fjalë për një fazë ende eksperimentale që po zhvillohet në një qendër shkencore në Itali, por në sajë të interesit të madh mjekësor, të gjitha gjasat janë që të kthehet në një realitet të prekshëm.

Në qendrën kombëtare të qenve, në Itali, dy qen ndjekin stërvitjen në mënyrë që aftësohen për të dalluar tek njeriu kancerin e prostatës vetëm përmes nuhatjes së urinës.

Ata për momentin mbahen në një ambient të hapur, ku u çohen kampionë urine nga pacientë të ndryshëm gati për t’u ‘analizuar’ prej tyre, ndërkohë që qentë që synohet të impenjohen në këtë nismë janë të njëjtë me ata që përdoren në polici dhe ushtri për të zbuluar eksplozivin.

Synimet e shkencëtarëve janë dy në lidhje me këtë çështje: të stërviten qentë në mënyrë që vetëm përmes nuhatjes të jenë në gjendje të kuptojnë nëse një njëri është i prekur nga kanceri i prostatës; si dhe të krijojnë një lloj ‘hunde elektronike’ artificiale, një lloj sensori që të jetë në gjendje të kryejë analiza në kohë reale, në mënyrë që të individualizohet prania e tumorit që në hapat e parë.

Qentë, të cilët shquhen për nuhatjen e tyre të pazakontë, synohet të përdoren për të zbuluar edhe sëmundje të tjera, në mënyrë që të bëhet e mundur kapja e sëmundjes në faza fillestare dhe të shmangen analizat e hollësishme.