Qeverisja Kurti, Kusari-Lila për kritikat e opozitës: Po e tregojnë inatin se kanë humbur pushtetin

U.D Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë në “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ka folur për qeverisjen Kurti, për akuzat e opozitës për punësime familjare nga LVV dhe ‘kapjen’ e institucioneve, për dialogun, për rimëkëmbjen ekonomike dhe për zgjedhjet lokale e tema tjera me rëndësi.

Kusari-Lila ka thënë se 100 ditëshi i punës së qeverisjes Kurti është shumë sfidues, për shkak të problemeve që kanë qenë me herët, e po ashtu edhe për problemet që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

“Në Kuvend edhe në Qeveri për atë sa kemi hapësirën dhe mundësinë të përcjellim për së afërmi 100 ditëshi do të jetë shumë sfidues, me sfidat të cilat pjesën e parë e kanë të lidhur me problemet kronike që e përcjellin Kosovën për 20 vitet e fundit.

Ndërsa pjesën e dytë me ato akute të pandemisë, të cilat kanë përkeqësuar disa prej problemeve të më hershme, por gjithashtu në një mënyrë ose tjetër kanë hapur mundësi të reja për riorganizim, ristrukturim dhe natyrisht për reformë të mirëfilltë”, theksoi ajo.