Quni: Nëse bëhem kryetar, Vjosa Osmanin do ta kthej në LDK

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, të premten në Pressing të T7 e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së.

Këtë tha se ua ka bërë të ditur edhe bashkëpartiakëve në mbledhjen e Kryesisë një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku Isa Mustafa i kishte njoftuar ata se s’do të jetë më kryetar, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë për humbjen më të madhe në historinë e partisë më të vjetër në vend.

Quni sot nuk ka dashur të tregojë nëse  ka marrë mbështetjen e anëtarëve tjerë në parti në synimin e tij për t’u bërë kryetar i LDK-së.

Ai tha se këto çështje janë të fshehta dhe se s’do që t’i bëjë publike, edhe për shkak të korrektësisë ndaj kundërkandidatëve të mundshëm.

Ndonëse në Pressing premtoi që në rast se do të bëhej kryetar i LDK-së, do t’i kthente në parti të gjithë të larguarit, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Quni tha se s’ka folur me të pas asaj paraqitjeje.

Pas shpalljes së kandidaturë s’kam biseduar me të”, pohoi Quni për Expressin.

Të premten, Quni tha se ka disa arsye pse ka vendosur të futet në garën për kryetar të LDK-së, ndërsa dha edhe premtimin e madh për kthimin e Vjosa Osmanit në parti.

Jam kandidat për kryetar të LDK-së. Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i hyj kësaj gare.

Në zgjedhjet e fundit është shprehë mosbesim ndaj LDK-së.

Ata që kanë dalë në LVV, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar ndër tjerash Quni.

“Jam i vetmi që jam deklaruar që nga momenti kur Isa Mustafa është larguar nga përgjegjësitë, të gjithë anëtarët e Kryesisë, që në Kuvendin e radhës unë do të jem kandidat për kryetar të LDK-së”, ka theksuar Quni./Kosovarja/