Qytetarët sot mund të vaksinohen edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, MSh: Shfrytëzojeni këtë mundësi

Ministria e Shëndetësisë i njofton qytetarët se sot, duke filluar nga ora 10:00 deri në 17:30, të gjithë të interesuarit për vaksinim kundër COVID-19, mund të vaksinohen nga ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si rrugën më të sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19.

“Një praktikë e këtillë do të fillojë së shpejti edhe në komuna të tjera të Kosovës.

MSh falënderon Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) për mbështetje për aksionin e nesërm të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 5.560 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.519.933 doza të vaksinës.

Deri më sot 686.238 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /Telegrafi/