Rama: Kufizoni shpenzimet, nuk jeni me pushime! Pagat e punonjësve privatë në karantinë do i mbulojë shteti

Është gjendje lufte dhe jo pushime të detyruara.

Me këtë mesazh kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët e mbyllur në shtëpitë e tyre të vetëdijësohen dhe kufizohen në shpenzime.

Si në çdo luftë, tha ai, secili prej nesh duhet të japë diçka nga vetja.

Kreu i qeverisë garantoi edhe një plan financiar për të mbuluar pagat e punonjësve të sektorit privat që aktualisht kanë ndërprerë punën.

Rama: Lufta duhet të na mobilizojë të gjithëve dhe të na vetëdijësojë që të gjithë duhet të japim diçka nga vetja.

Të gjithë do të ulim shpenzimet e zakonshme dhe do të ndryshojmë planin e ekonomisë sonë familjare përkohësisht.

Nuk mund të rrimë këtë javë në shtëpi si në pushime të detyruara, që meqë nuk na lënë të dalim hamë dhe pimë si zakonisht ndërkohë që shumëkujt duhet ti gjendemni dhe të sigurohemi që të mos mbetet pa ngrënë asgjë nëse nuk shkon të punojë për shumë ditë.

Kjo nuk do të thotë se ata që kanë për të marrë një rrogë në fund të marsit në ato hallka të ekonomisë që janë këputur përkohësisht ne do ti lëmë në dorë të pronarëve të sipërmarrjes private.

Në asnjë mënyrë.

Sipërmarrjes nuk mund ti delegohet mandati i solidaritetit shoqëror që zgjedhësit e vendit i kanë dhënë qeverisë që drejtoj.

Shumë shpejt, brenda kësaj jave do të kemi gati planin e garancisë financiare për pagat e të gjithë atyre ndër ju që ju përgjigjët thirrjes për luftë duke lënë punën për tu futut në llogoren e shtëpisë suaj.

E ndërsa fuqitë botërore kanë akorduar miliarda dollarë si mbështetje ndaj ekonomisë për kapërcimin e kësaj emergjence, Rama tha se ne nuk kemi miliardat e tyre dhe s’mund të bluajmë kockat e ekonomisë.

Edi Rama: Keni dëgjuar që kaq miliard dha Amerika, Gjermania, Italia dhe Franca.

Ne jemi Shqipëria, as Gjermania dhe as Franca.

Nuk kemi miliardat e tyre, as ekonomitë e tyre.

Nuk mund ti lelojmë vetes të bluajmë kockat e ekonomisë sonë.

Pas një muaji, dy apo tre, ky armik do të shporret por ekonomia do të jetë aty.