Rivotimi përmes postës për kryetar të Dragashit nis më 29 nëntor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë me 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor 2021.

Përplasje mes anëtarëve të KQZ-së shkaktuan opsionet që Sekretariati i KQZ-së ofroi se kur duhet të fillojë votimi përmes postës, e që opsioni i parë ishte që të fillojë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 10 dhjetor, ndërsa opsioni i dytë të fillojë më datën 29 dhe të përfundojë më 13 dhjetor.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet konform vendimit që kanë pranuar nga ana e Gjykatës Supreme.

Ai tha se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht 2021, e që numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1 mijë e 90 votues.

“Njëri rekomandim është që të fillojë me datën 26 nëntor dhe të përfundojë me datën 10 dhjetor dhe rekomandimi i dytë është që të fillojë më datën 29 nëntor dhe të përfundojë më datën 13 dhjetor kur është data e fundit kur duhet të dërgohen të gjitha zarfet apo pakot e supozuara me fletëvotime në adresën e KQZ-së.

Krahas kësaj e kemi edhe një rekomandim tjetër që lidhet me dizajnin e fletëvotimit që do të përdoren në rivotimin në Komunën e Dragashit”, tha ai.