Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt, Rodri ka falënderuar babanë e tij pas triumfit në garën për Topin e Artë 2024.
Rodri fitoi çmimin më të madh prestigjioz, Topin e Artë, në ceremoninë e mbajtur të hënën mbrëma në Paris, duke lënë pas vete në një garë të ngushtë yllin e Real Madridit, Vinicius Junior.
Megjithatë, kjo arritje e jashtëzakonshme nuk do të ishte e mundur pa mbështetje dhe këshillat e paçmuara të babait të Rodrit, i cili e bindi atë të vazhdonte karrierën në moshën 17-vjeçare, kur ky i fundit ishte në prag të dorëzimit. Një moment kritik për të rinjtë që luftojnë për ëndrrat e tyre, ku shpesh frika dhe dyshimi mund të dalin si pengesë.
“Së fundi, do të doja të tregoja një histori për procesin që më bëri të jem këtu. Në moshën 17 vjeçare bëra valixhet gati drejt një ëndrre, të shkoja në Villarreal për të luajtur në divizionin e parë dhe më kujtohet një ditë që thashë “mjaft”, mbaj mend që thirra babanë duke qarë me ndjenjën se gjithçka kishte mbaruar, se kisha investuar gjithë jetën për ta arritur dhe më dukej se ëndrra po shuhej”, ka thënë fillimisht Rodri.
Rodri thekson rëndësinë e mbështetjes familjare në momentet e vështira: “Ai më tha: “Nëse kemi ardhur këtu, nuk do ta hedhim peshqirin”. Dhe që nga ajo ditë, mentaliteti im ndryshoi”.
Fjalët e babait të tij, si një udhëheqës i vërtetë, e ndihmuan Rodrin të bashkonte forcën e tij dhe të shihte përpara, me besimin se gjithçka është e mundur me punë dhe përkushtim. Mesfushori thekson se ai është një djalë normal me vlera, që studion dhe përpiqet t’i bëjë gjërat mirë, pa u shqetësuar për stereotipet që shpesh e rrethojnë fushën e futbollit. “Mund të arrijë nivele të larta, falë të gjithëve. Sot jam këtu dhe jam krenar, më duhet të falënderoj”, përfundoi ylli spanjoll.