Rrëfimi për tu krenuar: ‘Babai im, varkëtari që kaloi Ismail Qemalin nëpër Vjosë’

Ai nuk rresht së treguari atë ngjarje që ndodhi 104 vjet më parë, ku protagonist ishte babai, Dhimitër Qarri.

Është një ngjarje me të cilën krenohet dhe, sigurisht do të krenohet sa të jetë gjallë.

Por, është edhe një nga thesaret e vyera për familjen, për trashëgimtarët e tij.

Dhe, bëhet fjalë për Babanë e Kombit, për Ismail Qemal Vlorën dhe udhëtimin e tij historik, drejt qytetit të Flamurit.

Jorgji Qarri, ma ka treguar këtë ngjarje vite më parë, por ma tregoi sërish edhe dje, në 104 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Çdo herë, ai sjell diçka të re, sepse e tillë është historia.

Sa më thellë futesh brenda saj, aq më shumë detaje zbulon.

Si nisi historia

Ai do të kishte mbetur i panjohur, nëse një ditë vjeshte të vitit 1961, një nga historianët e kohës, të mos kishte realizuar atë takim të rastësishëm me të.

Si çdo ditë, xha Dhimitri, atëhere 81 vjeç, kishte dalë për t’u shlodhur në Lulishten e Famurit, ku mblidhej me bashkëmoshatarët e vet, për të luajtur letra, apo domino.

Papritmas, ndërsa loja ishtë në kulmin e saj, pranë grupit të të moshuarve afrohen dy burra.

Njeri ishte shefi i seksionit të kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, Harilla Panajoti, ndërsa tjetri, një i panjohur.

Kaluan vetëm pak minuta dhe pasi u prezantuan, historiani Petraq Pepo, ish anëtar i Akademisë së Shkencave, tregon qëllimin e vajtjes pranë të moshuarve: ai kërkonte të zbulonte itinerarin e udhëtimit të Ismail Qemalit, nga Durrësi për në Vlorë, në atë vjeshtë të largët të vitit 1912.

Tregimi i kishte mbetur diku në afërsi të Vjosës, në kufijtë mes Vlorës dhe Fierit.

Çdo dëshmi mund të vlente.

Kishte kërkuar me javë dhe me muaj.

I kishin thënë se, tek të moshuarit e qytetit, mund të zbulonte diçka.

Prandaj dhe kishte ardhur këtu, tek këta pleq të nderuar.

“Unë mund të të ndihmoj me disa gjëra…(!)”.

Nga mesi i grupit, një i moshuar, trupmesatar dhe disi i hequr, ngriti zërin… Xha Dhimitri, Dhimitër Qarri nga Novosela, ishte njeriu i duhur.

Atë kërkonte historiani, personin që kishte transportuar Ismail Qemalin, nga njeri breg i Vjosës në tjetrin.

Ismail Qemali nëpër Vjosë, me varkën e Dhimitër Qarrit

Ajo vjeshtë e largët dhe e lagësht e vitit 1912, e kishte shndërruar Myzeqenë në një moçalishte të stërmadhe.

Balta dhe uji, mbizotëronin gado. Ishte mjaft e vështirë të udhëtoje përmes saj.

Por, Ismail Qemali, me grupin që e shoqëronte, ja dolën.

Në pasditen e 25 nëntorit, ata mbërritën në bregun verior të lumit.

Për të kaluar në anën tjetër, duhej një varkëtar i zoti. Këtë mision mund ta kryente vetëm një njeri, Dhimitër Qarri, atëhere 32 vjeç.

“Babai në atë kohë, punonte si varkëtar në portin e Vlorës.

Siç na ka treguar, atë e thirrën me urgjencë në fshat, në Novoselë.

Duhej të kalonte Ismail Qemalin, për në anën e Vlorës.

Ai nxitoi dhe brenda një kohe të shkurtër, mbërriti afër vendit, ku sot gjendet Ura e Mifolit.

Qindra njerëz në të dy anët e bregut prisnin.

Përgatiti varkën, ose gjeminë, siç emërtohej në atë kohë.

E rregulloi dhe, pa humbur kohë, u nis për në bregun tjetër ku të gjithë mbërritën shëndoshë e mirë.

Më pas, me një varkë më të madhe, që e kishin emërtuar “maune”, u transportuan edhe karroca dhe kuajt, me të cilët kishin udhëtuar Ismail Qemali dhe grupi që e shoqëronte.

Ndërkohë, të pranishmit në breg thërrisnin “Rroftë Ismail Qemali”.

Ai i takoi të gjithë dhe, megjithëse mjaft i lodhur, bisedoi me ta, u shpjegoi arsyen pse Shqipëria duhej të mëvetësohej nga Perandoria Otomane.

Ndërkohë, babait i shkoi pranë njeri prej shoqëruesve dhe e pyeti se sa i bënte haku i punës që kishte kryer.

“Asnjë gjë. Unë i shërbeva Ismail Qemalit, i shërbeva Shqipërisë”, ju përgjigj babai.

Ndërkohë, Ismail Qemali u shplodh për pak orë në një nga familjet e fshatit dhe më pas vazhdoi rrugën drejt Vlorës, ku e priste populli”.

Kështu e përshkon këtë moment të paharruar për babanë e vet, Dhimitrin, por edhe për atë vetë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, xha Jorgji, i biri i atij që dikur kishte shërbyer për të sjellë në Vlorë, Ismail Qemalin.

Takimi i parë në Vlorë, më 1908

Por, ajo ngjarje e vjeshtës e vitit 1912, nuk ishte e vetmja për Dhimitër Qarrin, në shërbim të Ismail Qemalit.

Një koinçidencë tjetër e kishte bërë atë protagonist të një ngjarjeje, ku sërish i kishte shërbyer Ismail Qemalit.

Ishte viti 1908, pak pasi ishte shpallur “Hyrieti” dhe Ismail Qemali, përfitoi për të ardhur në Shqipëri dhe në Vlorë.

Në port, mbërriti me një avullore austriake.

Për të dalë në liman, ishte e pamundur, sepse anija nuk mund të afrohej në skelë.

Për këtë qëllim funksiononin barkat.

Njera prej tyre, drejtohej nga i riu Dhimitër Qarri.

“E mbuloi varkën me qilim të kuq dhe e solli Ismail Qemalin shëndoshë e mirë në breg të detit.

Ai thotë se babai i vet ishte një patriot.

Këtë e kishte reflektuar edhe më pas, kur, Vlora dhe Myzeqeja, u shndërruan në një fushë beteje në Luftën e Parë Botërore.

Xha Dhimitri vëzhgonte vendosjen e forcave italiane dhe për këtë raportonte tek luftëtarët e lirisë, në Vlorë.

Por, kjo ra në sy të pushtuesve të cilët e arrestuan dhe e internuan në ishullin e Ventotenes në Itali, ku qëndroi katër vjet i syrgjynosur.

Jeta e Dhimitrit, edhe në libra

Jorgji Dhimitri, një burrë tepër i moshuar, është tepër i gjallë.

Nuk e tregon moshën, pavarësisht se i ka kaluar të 80-at.

Ai tregon se, deri në 1961, babai ishte një njeri i zakonshëm dhe i panjohur për opinionin.

Por, pas atij takimi të rastësishëm me historianin, Petraq Pepo, jeta e tij ndryshoi.

Historia e tij u botua në libra të ndyshme dhe në gazetat e kohës.

Një vit më pas, u përkujtua 50-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë dhe ai ishte një nga të ftuarit e nderit.

Më pas, ai ftohej çdo përvjetor, deri sa vdiq, në vitin 1967, në moshën 87-vjeçare.

Teksa tregon këto ngjarje, xha Jorgji, një nga pesë fëmijët e Dhimitër Qarrit, varkëtari i Ismail Qemalit, thotë se emri i babait është skalitur në atë histori të gati një shekulli më parë.