Së shpejti nisin prodhimin gjigantët gjermanë të veturave

Prodhuesit gjermanë të veturave përfshirë Volkswagenin dhe Mercedes-Benzin, do të rifillojnë prodhimin në disa fabrika javën tjetër pasi që janë lehtësuar kufizimet e krijuara për luftimin e Covid-19, raporton Reuters.

Kancelarja Angela Merkel të mërkurën ka thënë se Gjermania ka shënuar një sukses të brishtë ndaj koronavirusit, dhe se do të nisë pjesërisht rihapja nga izolimi aktual, duke përfshirë edhe hapjen e dyqaneve në javën tjetër dhe hapjen e shkollave nga 4 maji.

Për dallim nga Italia dhe Spanja, Gjermania asnjëherë nuk e ndaloi prodhimin e makinave, megjithëse fabrikat ndaluan pasi autoritetet kufizuan lëvizjen e njerëzve dhe urdhëruan mbylljen e tregjeve të makinave, transmeton KOHA.

Volkswageni ka thënë se do të nisë prodhimin e makinave në Zwickau, Gjermani, dhe në Bratisllavë të Sllovakisë më 20 prill.

Ato në Rusi, Spanjë, Portugali e SHBA do të nisin prodhimin më 27 prill, të cilave në maj iu bashkohen fabrikat në Afrikën e Jugut, Argjentinë, Brazil dhe Meksikë.

“Me vendimet e qeverive federale dhe shtetërore në Gjermani dhe heqjen e kufizimeve në shtetet e tjera evropiane, janë krijuar kushte për rifillimin gradual të prodhimit”, ka thënë Ralf Brandstaetter, kryeshefi operativ i markës Volkswagen.

Kurse Daimler ka thënë se fabrikat e saj në Hamburg, Berlin e Untertuerkheim do të rinisin prodhimin në javën e ardhshme.