Web Analytics
E martë, 28 Maj, 2024
16.9 C
Pristina

Seanca solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë, kujtohen dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri

Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancë solemne me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj ka thënë se 17 Shkurti është datë unike që bashkon qytetarët.

“17 Shkurti është e arritura jonë më e madhe historike, është reflektim i idealit tonë, stërgjyshërve e i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur. Republika e jonë po konsolidohet çdo ditë duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e tyre në botë. Për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal”, tha presidentja.

Ajo më tej shtoi se përkundër vështirësive shekullore qytetarët e Kosovës rezistuan.

“Kosova sovrane është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët”, tha presidentja.

Ajo kujtoi të gjithë ata që dhanë jetën për liri e pavarësi dhe që nuk u dorëzuan pavarësisht të gjithave. Presidentja e vendit foli edhe për aleatët e Kosovës.

“Në mënyrë të veçantë dua t’u falënderohem miqve tanë, miqve të lirisë. Ju ishit me ne përgjatë gjithë rrugëtimit tonë, kur neve na mohohej çdo e drejtë, shtypeshim mizorisht, e kur luftonim për liri…. kur u çliruam dhe ndërtuam shtetin tonë e ne ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, kufijve tanë dhe demokracisë”, tha e para e shtetit.

Presidentja Osmani më tej tha se ndër këto aleanca, aleanca me SHBA-të qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë, ndërkaq rrugëtimi drejt institucioneve euroatlantike sipas saj është i pa alternativë.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se pa aleatë, rruga e shtetësisë së Kosovës do të ishte e pamundshme.

“I kemi gjithë në mendje dhe nuk harrojmë t’i falënderojmë miqtë tanë, pa të cilët rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundshme, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj shtetet e Bashkimit Evropian që e përkrahën hapur lirinë e Kosovës. Falënderojmë edhe NATO-në që e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë, por i falënderojmë edhe të gjitha shtetet që e njohën pavarësinë e Kosovës”, tha Konjufca.

Ai më tej tha se 17 Shkurti është ditë e frymëzimit për secilin qytetarë të Kosovës.

“17 Shkurti është ditë e frymëzimit, prandaj duhet të jetë ditë përkuljesh para atyre që dhanë më së shumti. Përkulemi para atyre që e dhanë jetën për liri, përkulemi para vëllezërve dhe motrave tona që u vranë nga Serbia, vetëm pse ishin shqiptarë. Në themelin e shtetit tonë qëndron heroizmi i Jasharajve urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit”, shtoi Konjufca.

Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosovës i dalim zot të gjithë.

“Kosovën e kanë pjekur parakohe, atë e ka pjekur qëndresa e popullit. Koha e saj kishte ardhur në vitet e 80’ta. Për të u luftua. Kosova fitoi simpatinë e shteteve evropiane që i dolën përkrahë”, tha Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për raportet me Serbinë, ku tha se ky shtet ka zgjedhur terrorizmin. /Telegrafi/

Të fundit